pershendetje , i nderuar vizitor ju ftojmë qe të regjistroheni ne forumin tone.
sepse nese jeni i rigjistruar i keni te gjitha te drejtat si qdo antar i rigjistruar ne nje forum , andaj regjistrohu sepse gjithqka do ta kesh me leht .

Ju falemnderit per Viziten ,
Ju falemnderit per Mirkuptimin .


Staffi i Kosovaschool ju uronë zbavitje te mir ne Forumin e Kosovaschool .


Mir se vini në Forumin e ..::KosovaSchool..:: !
 
ForumRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 UNITETI I MUSLIMANËVE

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
attacknight
Web Master
Web Master
avatar

Postimet : 642
Piket : 3816
I antarsuar : 22/11/2009
Lokacioni : Vendi i All-llahut

MesazhTitulli: UNITETI I MUSLIMANËVE   Sun Apr 04, 2010 10:02 pm

UNITETI I MUSLIMANËVE

Kjo është një ligjëratë, të cilën e mbajti dijetari i mirënjohur Muhammed bin Salih el-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Boston në Shoqatën Islame, të mërkurën, 2 xhumadel evvel 1421 - 2 gusht 2000. Lënda është nxjerrë nga videokaseta me tekst arabisht dhe është shqipëruar.
- - -
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit
Falënderojmë Allahun e Lartësuar me shumë falënderime të mira dhe të denja për Të, falënderime që sjellin dhe shtojnë të mirat e Tij. Dërgojmë salavatet dhe përshëndetjet tona mbi të Dërguarin tonë, i cili është shembull dhe i dërguar mëshirë për të gjitha botët. Dërgojmë përshëndetjet tona edhe mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi ata, të cilët e pasojnë me kujdes dhe dashuri deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër të nderuar!
Kemi kënaqësinë që në këtë natë të bekuar të gjendet me ne një dijetar i shquar prej dijetarëve të Umetit, e ai është dijetari i mirënjohur Muhammed bin Salih Uthejmin. Kemi nderin që në këtë takim të mirë e të begatshëm, të dëgjojmë nga fjalët e tij, e veçanërisht kur ai pranoi të jetë sonte me ne duke e ditur se ai ka ardhur këtu për vizitë mjekësore. Por, kështu është jeta e dijetarëve, jeta e thirrësve në rrugën e Allahut azze ve xhel-le, jetë, e cila na dëfton se ata janë të lumtur çdoherë kur gjenden në mesin e vëllezërve dhe bijve të tyre që t’ua mësojnë dhe shpjegojnë Mesazhet e Allahut të Lartësuar.
Allahu e shpërbleftë për këtë prezantim të mirë para bijve dhe vëllezërve të tij në këtë qytet të madh. E lusim Allahun e Lartësuar që ta shërojë, t’ia largojë vuajtjen si dhe t’i jap shëndet e jetë me çdo të mirë!
Vëllezër, dijetari i nderuar do të na flasë për një temë shumë të rëndësishme, e ajo është “Uniteti i muslimanëve”, e posaçërisht për ata që janë larg në mërgim.
Nëse do Allahu do të ketë hapësirë edhe për pyetje, të cilat i shkruani në letër, e pastaj i sillni këtu tek vëlla Seudi, e më pastaj i paraqiten dijetarit.
Para se të fillojë dijetari me ligjëratën e tij, ia japim fjalën prof.dr.Velidit anëtar i bordit drejtues, i cili do të mbajë një fjalim për mirëseardhjen e dijetarit në emër të bordit drejtues të Shoqatës Islame në Boston.
- - -
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe paqja qofshin mbi zotëriun e pejgamberëve, zotëriun tonë - Muhammedin, të Dërguarin Besnik dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e tij.
Në emër të vëllezërve të mi, anëtarë të bordit drejtues të Shoqatës Islame në Boston i dëshirojmë mirëseardhje dijetarit tonë të nderuar Muhammed bin Salih Uthejmin në qytetin e shkencës, në Boston, i cili llogaritet bazë e qyteteve amerikane për vlerën dhe historinë e thellë që ka në shkencë dhe në politikë. Sonte, në këtë natë të bekuar na nderoi dijetari ynë i respektuar në qendrën tonë, qendër e cila kujdeset që gjithnjë t’i ftojë dijetarët e Botës Islame.
E sot, kjo qendër nderohet e i shtohet edhe më nderi me vizitën e dijetarit tonë të nderuar, i cili nuk ka nevojë që ta prezantojmë.
Mirë se vjen dijetari ynë në mesin e bijve të tij, të cilët aq shumë kanë dëgjuar dhe lexuar për të, e me këtë edhe e kanë dashur para se ta shohin, e sot e shohim atë para nesh dhe plotësohet një dëshirë e jona. E lusim Allahun për dijetarin tonë që të kthehet nga kjo vizitë këtyre vendeve shëndoshë e mirë, sepse Ai është që u përgjigjet lutjeve!
E tani, të dëgjojmë dijetarin tonë të nderuar, Allahu e shpërbleftë me çdo të mirë!
- - -
Falënderimi i takon vetëm Allahut, të Cilin e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë e falje kërkojmë!
Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e vetvetes dhe nga të këqijat e punëve tona! Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit atë dhe kë e humb Ai s’ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut të Vetëm dhe i Pashoq. Dhe dëshmoj se Muhammedi është robi, i dërguari dhe i dashuri i Allahut, si dhe besniku i Shpalljes, të cilin Allahu i Lartësuar e dërgoi me Udhëzim dhe Fenë e Vërtetë, e shpjegoi Mesazhin, e kreu obligimin, e këshilloi Umetin, luftoi në Rrugën e Allahut me vendosmëri. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë me kujdes e dashuri deri në Ditën e Gjykimit!
Gëzohem që në këtë natë, natën e të së enjtes (të mërkurën në mbrëmje) më 2 xhumadel evvel të vitit 1421, që koincidon me 2 gusht 2000, të flas para vëllezërve të mi në këtë vend, në qendrën e Shoqatës Islame në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo më gëzon, për arsye se takimi me vëllezër është i dobishëm në çdo kohë dhe vend, ngase kjo nxit dashurinë dhe harmoninë. Në këto takime njeriu njoftohet me problemet e vëllezërve dhe përpiqet brenda mundësive në zgjedhjen e tyre.
Sonte, ne do të flasim për një çështje të rëndësishme, e cila është: Realizimi i qëllimit për të cilin jemi krijuar. E ai është: Adhurimi i Allahut të Lartësuar, me plot sinqeritet të pastër. Sikur që Allahu i Lartësuar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56), jo për ndonjë qëllim tjetër: “Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata.” (Dharijatë, 57).

Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Nëse ju nuk e besoni; Allahu nuk është nevojtar për ju; megjithatë Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju.” (Zumer, 7).
Jemi krijuar për t’i bërë ibadet Allahut të Vetëm e të Pashoq, me plot sinqeritet duke e ndjekur Sheriatin (Legjislaturën) e Vulës së Pejgamberëve, Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Çfarë është synimi i këtij ibadeti - adhurimi?

Synimi i tij është lumturia në Dunja dhe në Ahiret. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë).” (Nahl, 97) kjo është në dunja, e:
“E (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97) kjo është në ahiret.
Çdo njëri nxiton në realizimin e lumturisë në dunja dhe në ahiret, mirëpo për këtë nuk ka rrugë tjetër përveç adhurimit të Allahut të Vetëm dhe të Pashoq, për të cilin qëllim edhe u krijua njeriu, madje edhe xhinët janë krijuar për të njëjtin qëllim.
Çdo njëri prej nesh e ka të ditur se ibadetet janë të sqaruara në mënyrë të përgjithshme e të hollësishme në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Xhibrili e pyeti të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për Islamin, e ai tha: “Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh ramazanin, të kryesh haxhin nëse ke mundësi.”

Kjo përfshirje e përgjithshme është sqaruar hollësisht në Kur’an dhe Sunet.
Pra, patjetër duhet të dimë si ta bëjmë namazin, si të japim zekatin, si të agjërojmë ramazanin, si ta kryejmë haxhin. Të mos bëhemi dallkauk dhe servil ndaj njerëzve e të themi e bëjmë çfarë bëjnë e thonë të tjerët dhe të mos e dimë qëllimin e tërë kësaj.


Të marrim një shembull:
Sa herë që duam të falemi duhet të marrim abdes, a nuk është kështu? Po, gjithsesi, por kur marrim abdes a e bëjmë këtë se është kusht për namaz, apo për atë se është ibadet për Allahun azze ve xhel-le? Çfarë është përgjigjja? Përgjigjja është: E dyta, sepse është ibadet.
Allahu na ka urdhëruar për këtë duke thënë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhynybë, atëherë pastrohuni (lahuni)!” (Maide, 6) e deri në fund të ajetit.
Pra, sa herë që marr abdes për namaz, e përjetoj se unë po e kryej urdhrin, e kujt? Urdhrin e Allahut, por kjo i shpëton shumëkujt prej njerëzve. Kur të marr abdes, marr ashtu si ka vepruar i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Si zakonisht, pastrohet fytyra, pastaj dy duart, mandej fërkohet koka (i jepet mes’h), e më pas pastrohen këmbët. Por, a thua me këtë unë e ndiej se po e pasoj të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sikur të jetë ai para meje duke marrë abdes. Përgjigjja, çfarë është përgjigjja? Përgjigjja është se mu kjo kërkohet, por shumë prej njerëzve janë të shkujdesur në këtë.
Së treti: Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tregon se mëkatet e gjymtyrëve të abdesit bien (zhduken) me pikat e fundit të ujit.
A thua, ne e shpresojmë dhe e përjetojmë këtë?!
Me fjalë tjera, unë duke marr abdes a e përjetoj bindjen se mëkatet bien në çdo pikë të ujit? Përgjigjja është se: Kjo kërkohet prej nesh. Mirëpo, për Zotin ne po harrojmë dhe jemi të pakujdesshëm. Për këtë nuk gjejmë abdes te ndokush që ndikon në zemër, ashtu si duhet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për namazin.
Vëllezër të nderuar!
Jemi të obliguar që të hulumtojmë se si ka vepruar i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, si ka marrë abdes, si është falur, si ka dhënë sadaka, si ka agjëruar, si e ka bërë haxhin, ngase ai ka thënë: “Faluni ashtu si më shihni mua duke u falur”, ndërsa për haxhin thotë: “Merrni nga unë formën dhe rregullat e haxhit”.

Dikush mund të thotë: Çfarë duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj divergjencave në mes të dijetarëve në disa çështje të Dispozitave të Sheriatit?!
Dijetarët nuk pajtohen për një çështje, përveç asaj që njihet domosdo nga Feja Islame. Andaj, si të veprojmë në rastin e këtyre divergjencave? Përgjigjja është se Allahu azze ve xhel-le e ka treguar këtë shumë qartë në fjalët e Tij: “Për çdo send që nuk pajtoheni gjykimi për të është te Allahu.” (Shura, 10)
Kthimi dhe vendimi duhet të jetë vetëm te Allahu. I Lartësuari, po ashtu thotë: “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te Allahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (Nisaë, 59)
Po ta ndiqnim këtë rrugë, nuk do të kishte divergjenca e përçarje, e kam fjalën për përçarjen mes nesh në zemra, ndërsa mospajtimi në mendime mund të ekzistojë. Mospajtimi në mendime ka ndodhur edhe në mes të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, mirëpo zemrat e tyre nuk janë përçarë. Ajo që po i dëmton njerëzit sot, në këtë rizgjim fetar është se ata i pasojnë epshet e tyre. Dua të them një grup prej tyre e pason epshin e tij dhe kështu dallimi në mendime çoi në hendekun e zemrave, në përçarjen dhe kundërshtimin e tyre, në armiqësi, urrejtje, ofendim dhe përgojim.
Për Zotin, kjo i gëzon armiqtë, dhe kjo e pengon Thirrjen Islame. Është detyrë (vaxhib) që zemrat të mos përçahen edhe nëse nuk pajtohen mendimet. Ai që këmbëngul që vetëm fjala e tij të merret si referencë në çdo diskutim a mospajtim, ai sikur thërret për veten e tij që të jetë në shkallën e pejgamberit. Nëse ky e dëshiron këtë, po ashtu edhe kundërshtari i tij dëshiron që fjala e tij të merret si referencë, kur dihet që asnjëri prej tyre nuk është i pagabueshëm. Ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit që t’i marrin mendimet tona, por duhet që të marrim çdo gjë që udhëzon Kur’ani dhe Suneti, edhe nëse është në kundërshtim me prindërit dhe familjen. Sikur që dëgjuat nga ajetet që i cituam.
Në bazë të kësaj, është obligim që mospajtimet në çështjet e fikhut të mos i bëjmë shkak për ndarje, përçarje dhe urrejtje Por, duhet të kërkojmë gjykimin e Kur’anit dhe Sunetit, dhe të ndjekim atë që tregon Kur’ani dhe Suneti, e kjo nuk do të thotë përçarje në zemra.
Mospajtimi në mendime ka ndodhur te sahabët radijallahu anhum, sikur që ishte ndryshimi i tyre në të kuptuarit e argumentit.
I Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pasi që u kthye nga beteja e Ahzabit, e cila ishte në muajin shevval të vitit të pestë, i erdhi Xhibrili dhe e urdhëroi që të shkojë te Beni Kurejdha, familja e fundit çifute në Medinë dhe të cilët e shkelën marrëveshjen. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i thirri shokët e tij (sahabët) e u tha: “Askush të mos e falë ikindinë përveç se te Beni Kurejdha!”
Ata u nisën menjëherë dhe koha e namazit të ikindisë i zuri në rrugë, u ndanë në dy grupe:
-Njëri prej tyre tha: Ta falim namazin në kohën e vet edhe pse akoma nuk kemi arritur te Beni Kurejdha.
-Ndërsa, grupi tjetër tha: Ta vonojmë faljen e namazit derisa të arrijmë te Beni Kurejdha.
Cili prej këtyre dy grupeve ka të drejtë? Përgjigjuni!
(Ata që janë prezent thonë:) Të dy grupet kanë të drejtë.
Jo! Nuk ka mundësi që të dyja grupet të kenë të drejtë, ngase e vërteta është vetëm një, sipas fjalës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Ai, i cili gjykon bënë përpjekje (ixhtihad) dhe ia qëllon i ka dy shpërblime, e nëse nuk ia qëllon e ka vetëm një shpërblim.”
Por, cili prej tyre është më afër të së vërtetës?
Më afër të së vërtetës janë ata, të cilët e kanë falur namazin në kohë, dhe u arsyetuan se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na urdhëroi kështu me qëllim të shpejtimit të shkuarjes atje, e jo të vonojmë namazin nga koha e tij. Ndërsa, të tjerët e morën vendimin duke u bazuar në shprehjen tekstuale dhe thanë: Nuk e falim namazin përveç se te Beni Kurejdha edhe nëse perëndon dielli.
Lajmi arriti te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe nuk e qortoi asnjërën palë, ngase që të dyja palët kishin bërë përpjekje (ixhtihad) në këtë.
A ndodhi që ky mospajtim, që ishte namazi i ikindisë, namazi më i vlefshëm, të bëhet shkak për përçarjen e zemrave? Përgjigjja është në formë të prerë: Jo! Ai mospajtim nuk ndikoi në përçarjen e zemrave, por zemrat vazhduan në dashuri dhe harmoni.
Në disa medhhebe-drejtime juridike të fikhut ka divergjenca.
Ngrënia e mishit të devesë e prish abdesin, mirëpo disa dijetarë mendojnë se nuk e prish abdesin. Tani në këtë rast, a të bëhet imam ai, i cili ka ngrënë mish deveje dhe s’ka marrë abdes i atij që thotë se është vaxhib të merret abdes pas ngrënies së mishit të devesë?
Çfarë është përgjigjja? Përgjigjja është: Po. Që do të thotë se ky, i cili mendon se nuk është vaxhib të merret abdes pas ngrënies së mishit të devesë, u bë imam për mua në namaz, ku unë them se është vaxhib të merret abdes. Ndërsa e shoh atë duke ngrënë mish deveje dhe nuk ka marrë abdes, unë falem pas tij dhe nuk ka kurrfarë pengese.
Pse?
Sepse, unë besoj se ky person falet dhe namazi i tij është në rregull sa i përket bindjes (i’tikadit) të tij. Vërtet, unë duhet të debatoj me atë në këtë temë dhe të shikoj çfarë tregojnë argumentet. Por, fakti që unë të mos falem pas tij me arsyetim se ai ka ngrënë mish deveje dhe s’ka marrë abdes, kjo nuk lejohet, deri në këtë masë.
Feja Islame dëshiron prej përkatësve të saj harmoni dhe jopërçarje, të jenë një popull i bashkuar. Dëgjo fjalët e Allahut të Lartësuar: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e Allahut, e mos u përçani. Përkujtoni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje, ishit në buzë të greminës së xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju të gjeni të vërtetën e lumtur.” (Ali Imran, 103).
Ne duhet të bashkohemi në litarin e Allahut, e të mos përçahemi. Sot është për keqardhje që disa të rinj i kanë marrë disa dijetarë si simbole-figura të mëdha, shkojnë hapave të tyre dhe e duan atë që ata e duan, si dhe e urrejnë atë që ata e urrejnë. Madje, edhe nëse ai që e urrejnë është në të vërtetën apo ai që e duan është në gabim. Ndahen duke thënë: Çfarë thua ti për filanin, çfarë thua për filanin?
Pse?
Ne themi se ky filani edhe gabon edhe ia qëllon. Nëse gabon duke qenë muxhtehid, gabimi i tij falet, e nëse ia qëllon i ka dy shpërblime. Ndërsa, ta dua apo ta urrej atë që ai e do apo e urren, si do që të jetë puna kjo assesi nuk lejohet.
Për këtë i ftoj bijtë e mi, të rinjtë, që të mos e bëjnë këtë çështje preokupimin më të madh të tyre, dhe të mos çojnë krye, por çdoherë le të jetë synimi i tyre e vërteta nga cilado anë që vjen. Dëgjo fjalët e Allahut azze ve xhel-le: “Kur punojnë ata (idhujtarët) diçka të shëmtuar thonë: “Ne i gjetëm që kështu prindërit tanë, edhe Allahu na urdhëroi me këtë (vizitën rreth Qabesë lakuriq). Thuaj: Allahu nuk urdhëron të shëmtuarën”. (A’rafë, 28)
Argumentuan me dy fakte:
E para, hë thanë, pra me fjalën: “Në atë i kemi gjetur të parët tanë”.

Ndërsa, e dyta: “Allahu na ka urdhëruar me këtë”. Kurse Allahu ka thënë: “Allahu nuk urdhëron të shëmtuarën”.
Heshti për faktin e parë, pse? Sepse, fakti i dytë ishte jo i drejtë dhe Allahu e zhvlerësoi atë, ndërsa fakti i parë ishte i shëndoshë dhe Allahu heshti për atë dhe e konfirmoi edhe pse ishte nga, nga kush? Nga mushrikët politeistë.
Mirë, dëgjo po ashtu të vërtetën që ka ardhur nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka ardhur një prijës fetar i çifutëve te ai dhe i ka thënë: O Muhammed! Ne e kemi gjetur se Allahu do ta vendos qiellin në një gisht dhe tokën në një gisht... dhe përmendet pjesa tjetër e hadithit. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem buzëqeshi derisa iu dukën edhe dhëmbët e tij si vërtetim të fjalëve të prijësit çifut. Pastaj lexoi: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në Ditën e Kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!” (Zumer, 67) (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Këtu, në këtë rast a e mohoi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të vërtetën vetëm pse thënësi i saj ishte jo i drejtë?
Përgjigjuni o njerëz!
Jo. Madje, e konfirmoi atë, edhe pse ishte nga një çifut.
Një tjetër rast edhe më i qartë se ky: Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kërkoi nga Ebu Hurejre që ta ruajë pasurinë e mbledhur nga sadekatul fitri! Një natë prej netëve erdhi një person, në formë njeriu, mori diç nga ushqimi dhe e kapi atë Ebu Hurejre e i tha se do të të dërgoj te i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ndërsa, ai u arsyetua duke thënë se jam i varfër dhe kam fëmijë. Kjo ia preku zemrën Ebu Hurejres dhe e liroi. Pastaj erdhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha atij: Ç’bëri mbrëmë ai robi yt? I tha: O i Dërguar i Allahut, tha se kishte fëmijë dhe ishte i varfër dhe e lirova. Ai i tha : Të ka gënjyer dhe do të kthehet përsëri. Të ka gënjyer do me thënë: Të ka informuar rrejshëm dhe se do të vijë përsëri herën tjetër.
Ebu Hurejre thotë: Nga fjalët e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem “Do të kthehet” e kuptova se ai do të kthehet përsëri. Erdhi në natën e dytë, mori nga ushqimi dhe përsëri tha se kishte fëmijë dhe ishte i varfër dhe e lirova. E liroi, ngase Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur e informoi se ai do të kthehet nuk i tha ta kap apo ta burgosë. Pastaj erdhi Ebu Hurejre te i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tregoi ngjarjen, dhe i tha: Të ka gënjyer dhe do të kthehet. Erdhi në natën e tretë dhe e kapi atë Ebu Hurejre e i tha se patjetër duhet të të dërgoj te i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem . Ky person i tha Ebu Hurejres: A të të tregoj për një ajet në Kur’an, që kur ta lexosh atë do të jetë me ty një mbrojtës nga Allahu dhe nuk do të të afrohet ty asnjë shejtan deri sa të gdhihet. Ebu Hurejre e liroi atë dhe pastaj erdhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e informoi për rastin dhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Të vërtetën ta ka thënë edhe pse ai është gënjeshtar i madh.
Çka do me thënë: “Të vërtetën ta ka thënë”? Do me thënë se të ka treguar drejtë, nëse ti e lexon ajetul kursinë do të jetë me ty një mbrojtës nga Allahu dhe as nuk do të të afrohet ty asnjë shejtan derisa të gdhihesh në mëngjes. Pastaj i tha: A e di me kë ke folur në këto tre netë? Ai tha: Nuk e di , o i Dërguar i Allahut. Tha: Ai ishte shejtani.

Shiko si e pranoi i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të vërtetën nga kush? Nga shejtani. Qëllimi është gjithmonë e vërteta, dhe njerëzit njihen sipas të vërtetës e jo e vërteta sipas njerëzve.
Në rregull, atëherë pse ndahen dhe përçahen zemrat tona për shkak të armiqësisë ndaj ndonjë personaliteti të dijetarëve. Njëri thotë se ai ka të drejtë dhe e ka mirë, ndërsa tjetri e thotë të kundërtën. Kjo është gabim, kjo nuk është nga tradita e hulefai rashidinëve e as të sahabëve.
Obligim është pranimi i të vërtetës prej çdonjërit që e thotë atë, si dhe mohomi i të pavërtetës nga çdonjëri që e thotë atë. Pastaj, nuk lejohet kurrsesi që dashurinë dhe urrejtjen t’i bëjmë në bazë të personave, ngase ata nuk janë të pagabueshëm, ata edhe mund të gabojnë e edhe mund t’ia qëllojnë.
Le të pajtohemi e t'i lëmë këta persona, ta lusim Allahun që t'i udhëzojë nëse janë gjallë, e nëse janë të vdekur të kërkojmë falje për ta, nëse janë që kanë bërë ixhtihad-përpjekje dhe e devijuan të vërtetën?! Çështja e tyre kthehet te..., te kush? Te Allahu azze ve xhel-le. Ndërsa, ta ndajmë xhematin (grupin) tonë dhe ta shpartallojmë unitetin tonë e të ngritim armiqësinë ndërmjet vete për shkak të stimulimit dhe përkrahjes së këtij apo atij personi. Ky është gabim, gabim i qartë dhe dëm i madh. Për këtë i thërras të gjithë vëllezërit e mi muslimanë kudo që gjenden, i thërras në bashkim dhe mospërçarje, dhe të mos marrin nga persona të caktuar simbole-figura të mëdha, të cilëve iu detyrohen duke miqësuar dhe armiqësuar në bazë të tyre. Sepse, ky është gabim. Nuk i ka dëmtuar muslimanët më parë dhe tanimë më shumë sesa ky gabim, se ky fanatizëm ndaj personave, pa marrë parasysh në dashurinë apo në urrejtjen e tyre.
Vëllezër, ju porosis për derisa jeni në këtë qendër islame, dhe jeni në mesin e jomuslimanëve, që të thirrni në rrugën e Allahut azze ve xhel-le me fjalë dhe me punë.
Me fjalë është të ftoni me gjuhë, por këndshëm, butë dhe me të bindur me argument fetar dhe me argument logjik. Argumenti fetar janë Kur’ani dhe Suneti, ndërsa ai logjik është vetë logjika. Sepse, jobesimtari nuk e pranon Kur’anin dhe Sunetin, mirëpo nëse i sjell argumente logjike i pranon. Po ashtu, ju porosis që t’i ftoni ata në Islam me punë. Thirrja me punë bëhet duke pasur bashkëpunim të mirë, dhe t'ua paraqitni atyre se Feja Islame është fe e lehtësisë, e tolerancës dhe faljes. Allahu azze ve xhel-le thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja.”, plotësone ajetin: “Mbani drejtësi me ata, Allahu i do ata që mbajnë drejtësi.” (Mumtehine, 8)
Do me thënë duhet të sillemi mirë ndaj tyre dhe t’u japim derisa nuk na luftojnë në fe e as në nuk na nxjerrin nga shtëpitë tona.
Thirr në rrugën e Allahut me punë. Nga thirrja me punë është që personi t’ua paraqesë atyre jomuslimanëve sinqeritetin, këshillën e mirë, çiltërsinë, zemërgjerësinë, të cilat mund të bëhen shkak për hyrjen e tyre në Islam. Ndërsa, dhuna i largon dhe nuk sjell dobi aspak.
Nuk dua të them me këtë që të dominojë në zemrat tuaja dashuria për ta, ngase Allahu thotë: “Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Muxhadele, 22)
Mirëpo, ka dallim në mes të gjesteve fizike-trupore dhe asaj të zemrës. Zemra nuk bën të ketë simpati dhe dashuri për ta, mirëpo raporti fizik-formal nuk prish punë, sepse ajo është thirrje për në Islam.
Vëllezër dhe ju të rinj, meqë jeni në vende joislame, ju porosis që ta kryeni sa më shpejt qëllimin, për të cilin keni ardhur dhe mandej të largoheni prej këtyre vendeve, e të shkoni në vendet islame. Ngase, qëndrimi në vendet joislame pa ndonjë nevojë të domosdoshme është për t’u frikësuar për atë person, sepse Allahu është rrotullues i zemrave, andaj largohu sa më larg prej sherrit që të shpëtosh.
Njeriu mund të thotë unë jam besimtar dhe nuk ndikohem, por me bashkëjetesë dhe me kalimin e kohës mund të ndikohet. Për këtë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush dëgjon për Dexhallin le të largohet prej tij sa më larg.” Thotë: “Ngase, njeriu kur të vijë tek ai dhe ai e sheh se ky është besimtar do të angazhohet me të derisa ta largojë nga besimi.”
Mos thuaj jam besimtar dhe nuk mund të më dëmtojë askush, ngase zemrat janë në dorën e Allahut, bashkëjetesa dhe përzierja kanë ndikim të madh.
E lus Allahun që të na forcojë mua dhe juve në Fenë e Tij dhe të na ringjallë e të na bashkojë me pejgamberët, besnikët e dalluar, me dëshmorët dhe me të mirët!
Ka edhe shumë problematika për të cilat kemi dashur të flasim rreth tyre, si zbulimi dhe zbukurimi i femrës, udhëtimi i saj pa mahrem (shoqërues i afërm), përshëndetja e saj për dore me meshkujt, e të ngjashme. Por, për të gjitha këto është shkruar në libra, të cilat tanimë veç janë të njohura elhamdulil-lah.
Allahu është posedues i suksesit!
- - -
Allahu e shpërbleftë dijetarin tonë të nderuar për këto fjalë të mira, të cilat e sqarojnë realitetin dhe të vërtetën e Rrugës së Drejtë për vëllezërit muslimanë kurbetqarë që gjenden në këto vende.
Vëllezër, vërtet pajtimi dhe bashkimi ynë në fjalën e Allahut dhe në Sunetin e të të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem do të rriste dhe drejtonte forcat tona thirrëse në rrugën e Allahut azze ve xhel-le me urtësi dhe ligjërim të mirë duke e bartur gjithmonë Librin e Allahut dhe Sunetin e të të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Do të ishim shembull dhe lëvizje e fortë në këto shoqëri e do të kishim një ndikim të madh, e jo si jemi tani në këto ditë. Ku kemi shumë nevojë të punojmë me këto këshilla të mira e të begatshme, të cilat burojnë nga Libri i Allahut dhe Suneti i të të Dërguarit të Tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Vëllezër, ne duhet t'ia tregojmë botës që na rrethon forcën e Islamit, forcën e muslimanëve në bashkimin dhe luftën e tyre për Fjalën e Allahut të Lartësuar në njoftimin e jomuslimanëve me fenë e Allahut azze ve xhel-le duke ua bërë me dije se Islami është ai që bashkoi këto zemra. Islami është zgjidhja e të gjitha problemeve, të cilat i kanë katandisur këto shoqëri dhe të cilat janë shumë dhe për të cilat dimë shumë.
Këto janë këshilla nga dijetari ynë i mirënjohur e i nderuar, të cilat duhet t’i mësojmë, t’i jetësojmë dhe praktikojmë nëse do Allahu i Lartësuar.
I nderuar! Të premtojmë se nëse do Allahu do të mundohemi të jemi prej atyre që i dëgjojnë fjalët dhe e pasojnë atë më të mirën. Aminë!


Na kanë ardhur shumë pyetje, por do t’i lexojmë disa prej tyre dhe shpresojmë nga vëllezërit, të cilët kanë ndonjë pyetje le ta shkruajnë atë në letër, sepse pyetjet nuk pranohen përveç se me shkrim, pastaj të sillen këtu te vëlla Seudi, e më pas do të lexohen para dijetarit.
Shumica e pyetjeve këtu janë në fikh (jurisprudencë islame), andaj fillojmë me to duke e lutur Allahun e Lartësuar që të thuhet vetëm e vërteta me ndihmën e Allahut!


-I nderuari dijetar! Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.
Ne jemi disa studentë këtu në universitet, e falim namazin e xhumasë, drekën, ikindinë dhe akshamin në një vend të përgatitur këtu enkas për ne dhe për të tjerët nga jomuslimanët, të cilët i bëjnë adhurimet e tyre politeiste. A na lejohet neve të falemi në këtë vend duke e pasur parasysh se nuk kemi vend tjetër ku mund t’i kryejmë obligimet tona? Kjo është pyetja e parë.


*** Bismilahi Rrahmani Rrahim
Nuk prish punë që të falet namazi në këtë vend nëse muslimanët e kryejnë atë pa probleme dhe pa zhurmë. D.m.th. nuk ka pengesë.
Shumë dijetarë e kanë lejuar faljen e namazit në kishë, në vendadhurimin e të krishterëve nëse nuk ka në to fotografi e statuja. Kjo hyn në kuptimin e fjalëve të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Më është bërë toka mua xhami dhe vend i pastër.”


-Allahu ju shpërbleftë!

Shpresojmë ta paraqitni këtë problem para të gjithëve dhe të këshilloni bashkëshortin, i cili e uzurpon mëditjen dhe tërë pasurinë e bashkëshortes dhe nuk i lejon asfarë kompetencash në disponimin e pasurisë së saj. Këtë e arsyeton duke thënë se ne, burrë e grua, nuk kemi dallim mes nesh, meqë gruaja është nën mbrojtjen e burrit nuk ka nevojë që ajo të ketë pasuri personale?


*** Ne themi se ky interpretim është i gabuar dhe nuk ka aspak të drejtë. Sepse, femra ka të drejtë të disponojë mëditjen e saj dhe pasurinë tjetër që i takon, pra me plotë kompetencë dhe të drejtë. Burri nuk ka të drejtë aspak në atë, madje ai duhet të furnizojë dhe të mirëmbajë gruan e tij edhe nëse është më e pasur se ai.
Asaj i takon pasuria e vet. Për këtë, gratë e sahabëve kanë dhënë sadaka (lëmoshë) nga pasuritë e tyre pa i pyetur burrat fare. Në dy sahihat, të Buhariut dhe Muslimit, ceket se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u fliste njerëzve në Festën e Bajramit për gratë duke i këshilluar dhe përkujtuar dhe tha: "O gra! Jepni sadaka!" Dhe ato jepnin . Gruaja jep sadaka me stolitë e saj, me byzylykët e saj, me unazat e saj, pa thënë i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pyetni burrat e juaj.
Atë që e merr nga gruaja e vet pa pëlqimin e saj është haram dhe e ndaluar, dhe gruaja do t’ia marrë atij veprat e mira në Ditën e Gjykimit. Po nëse burri e kërcënon gruan e i thotë ose ma jep gjysmën e rrogës – mëditjes ose do të të shkurorëzoj, në këtë rast gruaja është e detyruar të pranojë, por megjithatë kjo është dhunë dhe ai e merr atë pa të drejtë edhe pse gruaja paraqitet se gjoja po pajtohet. Por, meqë burri është kërcënuar ai është tiran dhe mëkatar.


-Edhe kjo ka të bëjë me të njëjtën tematikë.
Këshilloni burrat, të cilët nuk i mëshirojnë gratë e tyre në mundimet dhe punët e shtëpisë dhe rreth kujdesit ndaj fëmijëve, sa që nga problemet dhe ngarkesat e shumta nuk mund t’i kryejnë vetëm të gjitha punët dhe kalojnë nëpër kriza psikike dhe probleme shëndetësore?!


*** Kjo është njësoj si e para, por është më e lehtë, sepse gruaja është përgjegjëse e shtëpisë sikur që thotë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit dhe është përgjegjëse për kopenë e saj.”
Burri duhet ta ndjek shembullin e njeriut më të nderuar, e ai kush është? Ai është i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili i ndihmonte familjes në punët e shtëpisë që t’ia pakësojë lodhjen dhe mundimet gruas, gjë e cila nxitë dashurinë në mes të bashkëshortëve. Andaj, i thërras bashkëshortët që të marrin pjesë me gratë e tyre në punët e shtëpisë.


-Një pyetje po ashtu në fikh.
Çfarë është dispozita lidhur me formimin e xhematit të dytë në një xhami ku ekziston imami i rregullt me pagë? A ndikon kjo në përçarjen e muslimanëve?


*** Nëse bëhet çdoherë, kjo nuk lejohet. Përveç për ndonjë arsye të, për shembull, nëse xhamia është e ngushtë dhe ata e dinë se nëse shkojnë në xhami nuk do të gjejnë vend dhe presin pak derisa të falet grupi i parë, e pastaj e formojnë xhematin e dytë.
Ndërsa, nëse ndodh papritmas, fjala vjen disa futen në xhami dhe shohin se ata veç janë falur, atëherë e bëjnë xhematin e dytë. Argument për këtë është se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte duke ndejtur me sahabët në xhami, hyri një njeri që donte të falej. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u tha shokëve të vet: “Cili prej jush jep sadaka që të falet bashkë me këtë?” U ngritën disa që ishin prezent dhe u falën me të. Po ashtu edhe hadithi tjetër i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ku thotë: “Namazi i personit me një njeri është më i vlefshëm, më i mirë se namazi i tij vetëm, e namazi i tij me dy njerëz është më i vlefshëm se sa namazi i tij me një njeri, dhe sa më shumë njerëz që shtohen aq më i dashur është te Allahu .”


Edituar për herë të fundit nga kosovaschool në Sun Apr 04, 2010 10:03 pm, edituar 1 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://rebeli.super-forum.net
attacknight
Web Master
Web Master
avatar

Postimet : 642
Piket : 3816
I antarsuar : 22/11/2009
Lokacioni : Vendi i All-llahut

MesazhTitulli: Re: UNITETI I MUSLIMANËVE   Sun Apr 04, 2010 10:02 pm

Ndërsa, dijetarët tjerë, të cilët thonë se nuk lejohet të formohet xhemati i dytë, bazohen në ixhtihadin e tyre që nuk është i qëlluar. Argumentojnë me veprën e Abdullah bin Mes’udit radijallahu anhu, i cili hyri në xhami me disa shokë dhe pa se njerëzit veç e kishin përfunduar namazin, u kthye dhe nuk e fali namazin në xhami, por në shtëpi.
Mirëpo, nuk mund të argumentohet me këtë, sepse kjo është çështje personale. Mund të ndodh që Abdullah bin Mes’udi është kthyer për arsye tjera. Që të mos thonë njerëzit: Shikoni shoku i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u vonua për namaz dhe të zbehet në shpirtrat e tyre namazi me xhemat. Apo ndoshta është frikësuar se do të ndodhte diç në zemrën e imamit, e të mendojë keq për të duke thënë: A thua pse Abdullah bin Mes’udi nuk u fal me mua? Me rëndësi është se kjo është çështje personale dhe ka shumë mundësi dhe dilema të ndryshme komentimi.
Edhe nëse e zëmë se nuk ka në të kurrfarë dyshimesh, ne e kemi hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në të cilin i urdhëroi disa nga shokët që të falen me atë që hyri në xhami e deshi të falej. Po ashtu edhe hadithi i Ubejje bin Ka’bit, ku thotë: “Namazi i personit me një njeri është më i vlefshëm, më i mirë se namazi i tij vetëm, e namazi i tij me dy njerëz është më i vlefshëm se sa namazi i tij me një njeri, dhe sa më shumë njerëz që shtohen aq më i dashur është te Allahu .”


-A i lejohet vëllait që t’ia lë pasurinë e trashëguar apo një pjesë të saj njërit prej vëllezërve të tij meqë është më i varfëri prej të gjithëve duke e ditur se prindi është i vdekur më parë. Çfarë është argumenti në këtë dhe Allahu ju shpërbleftë me të mira?!


*** Nëse vëllezërit e tij nuk trashëgojnë, meqë ai ka fëmijë, atëherë s’ka pengesë që të lë testament për ndonjërin prej tyre ndonjë pjesë të pasurisë sa ai e sheh të arsyeshme. Mirëpo, nëse ai trashëgon, në këtë rast nuk i lejohet assesi që të porosisë për të me testament! Argument për këtë është se Allahu i Lartësuar pasi që e ka ndarë dhe caktuar trashëgiminë për çdonjërin, është kërcënuar ndaj atij që i nëpërkëmbë dispozitat e Tij dhe thotë: “Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut . Kush i bindet Allahut (urdhrit të Tij) dhe të Dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhenete nën të cilët burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” (Nisaë, 13-14)
Po ashtu edhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Allahu ia ka dhënë të drejtën që i takon çdonjërit, nuk ka testament për atë që trashëgon.”



-Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Çfarë propozoni për xhamitë dhe qendrat islame se si të veprojnë në përgatitjen dhe zhvillimin e kurseve dhe për kujdesin e tyre ndaj nxënësve të rinj dhe ruajtjen e tyre nga devijimi?


*** Mendoj që qendrat islame duhet t’i përcjellin këta nxënës, nëse e heton ndonjërin prej tyre të devijojë nga rruga e drejtë, e thërret, e ndanë vetëm dhe e këshillon. Me ruajtjen e tyre, këshillimin dhe tërheqjen e vërejtjes jopublikisht evitohen problemet nëse do Allahu.


-Allahu ju shpërbleftë!
I nderuari dijetar i respektuar, Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.
A është rënkimi (ofshama) në kundërshtim me hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili tregon se durimi (sabri) duhet të bëhet në momentet e para të fatkeqësisë?


*** Pyetësit i themi ve alejkum selam ve rahmetullahi ve berekatuhu, dhe e lusim Allahun që ta dojë atë sikur që ai na do neve!
Rënkimi është dy llojesh. Një lloj është, i cili bëhet nga natyra dhe në këtë nuk do të ketë llogari e as ndëshkim. Ndërsa, lloji i dytë i rënkimit është me zgjedhjen e njeriut dhe bëhet nga mospërmbajtja dhe mosdurimi i tij, e kjo është e ndaluar.
Përmendet se Imam Ahmedi , Allahu e mëshiroftë, ishte i sëmurë, shkuan disa shokë të tij ta vizitojnë dhe Imam Ahmedi rënkonte nga sëmundja, e i thanë: O Ebu Abdullah, si po rënkon? A e di se Tavusi, ai është prej tabi’inëve të njohur, ka thënë: Meleku i vdekjes e shkruan edhe rënkimin e të sëmurit. Më pas Imam Ahmedi e ndali rënkimin, Allahu e mëshiroftë!
Kjo është dispozita për rënkimin, e cila bëhet me zgjedhjen e njeriut e kjo është e ndaluar, sepse kjo tregon mosdurimin e tij. Ndërsa, për rënkimin natyror kjo nuk ka pengesë e as ndëshkim, ngase njeriu nuk mund ta përmbajë atë.


-Allahu ju bekoftë!
Këtu është një pyetje. Kjo kërkohet në çdo kohë te ne, që thotë: Çfarë është dispozita e ngrënies së mishrave të lejuara, të mishrave hallall si mishi i pulës e të tjera në Amerikë. A llogariten ithtarë të librit ata që e quajnë veten sot ithtarë të librit, a lejohet ngrënia e shtazëve të therura nga ata si dhe martesa me ta?


*** Lejohet ngrënia e të therurave nga të krishterët dhe çifutët në Amerikë, ngase Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë të lejuara).” (Maide, 5)
Abdullah bin Abbasi thotë për këtë: Ushqimi i tyre do me thënë: të therurat e tyre.

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka ngrënë nga mishi që e ka përgatitur çifuti, ai nuk ka kërkuar shpjegim e as që ka pyetur. Atëherë, nuk obligohemi, madje edhe nuk duhet të pyesim se si e therën përderisa është e therur nga njerëz që lejohet të hahet e therura nga ai dhe mos pyet.
Argument për këtë është: Aishja radijallahu anha tregon se disa njerëz e pyetën Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për disa njerëz tjerë, të cilët u sjellin mish, e nuk e dimë a e kanë përmendur emrin e Allahut apo jo?! Ai u tha: Ju bëni Bismilah dhe hani. Aishja thotë se ata ishin të sapofutur në Islam, dhe të tillët ndodh që nga mosdija për obligueshmërinë e bismilahit të mos e përmendin emrin e Allahut gjatë therjes. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i porositi që të hanë dhe të mos pyesin. Po ashtu edhe për mënyrën e therjes nuk jemi të obliguar, madje edhe nuk duhet të pyesim se si e kanë therur, të hamë dhe mos të na interesoj ajo.
E sa i përket se ata sot a janë ithtarë të librit, po janë dhe s’ka dyshim në këtë edhe nëse e mohojnë fenë e tyre dhe bëjnë kufër. Argument për këtë është fjala e Allahut azze ve xhel-le në suren Maide, ku thotë: “Gjithashtu bënë kufër ata që thonë: Allahu është i treti i treve.” (Maide, 73) dhe në të njëjtën sure e lejon ushqimin dhe të therurat e tyre.
Për këtë mendojmë se ngrënia e të therurave të çifutëve dhe të të krishterëve në këtë vend apo në vendet tjera është e lejuar. Nuk ka nevojë të pyesësh se si, ngase në bazë të principeve është e lejuar.
Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për martesën me ta. Përveç nëse njeriu është personalitet i dobët dhe frikësohet se nëse martohet me vajzën e tyre mund të ndikojnë në fenë e tij, e në këtë rast themi largohuni nga kjo për mbrojtje nga të këqijat.


-Allahu ju shpërbleftë!
I nderuar, një ndërhyrje e vogël sa i përket dispozitës së lejimit të ngrënies së këtyre mishrave nga ithtarët e librit, a mund të mbetet kjo dispozitë edhe nëse ekzistojnë thertoret islame dhe dyqanet e vëllezërve tanë muslimanë këtu, të cilët janë shtuar në këtë rajon dhe të cilët i therin shtazët sipas rregullit islam, që nëse muslimanët nuk blejnë prej tyre rrezikohen që të mbyllen?


*** Kjo është një çështje tjetër.
Ne kur thamë se lejohet nuk thamë që ajo lejohet në çdo rast, por në bazën e përgjithshme është e lejuar. Mirëpo, nëse në këtë ka dëm, sikur që njerëzit të largohen nga të therurat islame, të cilat i therin vetë muslimanët, e të marrin nga të tjerët, e me këtë rrezikohet mbyllja e lokaleve të tyre, atëherë nuk ka pengesë për ndalimin e njerëzve nga ngrënia e mishrave të tyre-ithtarëve të librit duke e ruajtur atë që e therin muslimanët.


-Allahu ju bekoftë!
Çfarë është dispozita islame për shpërnguljen në vendet joislame me qëllim të rizkut (furnizimit), e më pas zgjatet qëndrimi i tij atje dhe frikësohet nga devijimi? Pra, ka ardhur për rizk, pastaj është zgjatur qëndrimi i tij këtu, e ai frikësohet nga devijimi, çfarë është dispozita në këtë?


*** Mendoj se ai duhet të kthehet në vendin islam, dhe nuk i lejohet të qëndrojë në vendin e kufrit përderisa frikësohet për veten e tij dhe le të lexojë ajetet dhe hadithet që tërheqin vërejtjen për qëndrimin në vendet e kufrit, përveç në rastet e domosdoshme, kurse rizku mund të sigurohet edhe në vendet islame.


-I nderuar, si plotësim për të njëjtën pyetje. Ne mendojmë se prezenca e muslimanëve në Perëndim është në vlerën e përhapjes së Thirrjes në rrugën e Allahut subhanehu ve teala. Muslimani i vërtetë është në vlerën e Kur’anit, i cili ec në tokë, punët dhe aktivitetet e tyre pasqyrojnë realitetin e Islamit dhe në formë efektive ndikojnë në përhapjen e Thirrjes në rrugën e Allahut subhanehu ve teala. Numri i muslimanëve në Amerikë sot arrin deri në pesë milionë njerëz, prezenca dhe fitimi i muslimanëve të rinj a nuk është synim i Thirrjes Islame si dhe përfitimi i njerëzve të rëndësishëm për Thirrjen. A është kjo e mundur këtu?


*** Kjo pyetje dallon nga e para. Pyetja e parë bënte me atë, i cili e dëshironte dunjanë, në kërkim të rizkut, ndërsa ky dëshiron të bëjë thirrje në rrugën e Allahut azze ve xhel-le, dhe derisa e sheh se e pranojnë Islamin dhe i nxitë muslimanët, le të jetë qëllimi i tij Thirrja në rrugën Allahut azze ve xhel-le.


-I nderuar, a mund të bashkohen dy qëllimet, kërkimi i rizkut dhe Thirrja në rrugën e Allahun subhanehu ve teala?


*** Frikësohem se anon kah kërkimi i rizkut, por njeriu e di më së miri për veten e tij. Nëse e njeh veten dhe e kupton mirë se ai po rri këtu për Thirrje në rrugën e Allahut azze ve xhel-le dhe është i kujdesshëm e aktiv në këtë-në thirrje, atëherë nuk ka pengesë sipas fjalës së Allahut azze ve xhel-le për haxhin: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit).” (Bekare, 198) d.m.th.: rizk. Ndërsa, nëse e ndien veten se po anon kah ana materiale, atëherë le të largohet menjëherë nga ky vend.


-Allahu ju shpërbleftë!
A merret parasysh dispozita për shkurorëzim nëse nuk e shpreh me fjalë edhe pse në njëfarë mënyre e ndien në vetvete?


*** Nuk pranohet shkurorëzimi, përveç nëse e shpreh me fjalë, me shkrim apo me mimikë që kuptohet. Këto janë tre mënyrat, ndërsa vetëm ta mendojë në zemrën e tij se ai po e shkurorëzon gruan e vet, nuk merret parasysh kjo, ngase Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu e ka falë Umetin tim për ato që i mendojnë, por që nuk i bëjnë apo nuk i flasin.”
Nëse njeriu është i dyshimtë (me dilema) në shkurorëzimin e gruas së tij dhe e shpreh shkurorëzimin me gjuhë të qartë, shkurorëzimi nuk realizohet, sepse ky shkurorëzim është i dhunshëm dhe pa dëshirë, ndërsa shkurorëzimi bëhet duke qenë i vendosur në të. Për këtë themi se nuk merret parasysh shkurorëzimi i atij që është në dyshim (vesveseli), ngase në fakt nuk është shkurorëzim, sepse po ta pyesje atë: A e dëshirove këtë? Do të thotë jo, por më doli ashtu nga gjuha. Atëherë, s’ka shkurorëzim.
Shkrimi është i njohur, realizohet duke shkruar njeriu atë që e ndjen duke thënë se unë filani e kam shkurorëzuar gruan time filanen. Po ashtu edhe mimika që kuptohet pranohet dhe pyetet personi: A e synon shkurorëzimin e gruas sate? Nëse dëfton me gjeste në shenjë pohimi pranohet vendimi i shkurorëzimit.


-I nderuar, Allahu të ruajt nga çdo e keqe!
A lejohet shitblerja e arit me këste apo me kartën kreditore (bankare-kursyese)?


*** Nuk lejohet shitblerja e arit me këste, ngase bankënotat sot janë në vlerën e argjendit apo të arit. Në procesin e shitjes së arit me argjend apo të arit me ari, duhet patjetër të bëhet zotërimi me plotë kompetencë i pronës, për këtë nuk lejohet shitblerja e arit me këste. Ai që e bën këtë duhet që kontratën e tij jo të drejtë ta shndërrojë në kontratë të drejtë e të rregullt.
Ndërsa, karta kreditore duhet të shikohet në këtë çështje. Nëse poseduesi i kartës kreditore e transferon shumën e pagesës menjëherë në xhirollogarinë e shitësit nuk ka pengesë. E nëse bëhet pas një kohe, atëherë nuk lejohet.


-Allahu ju bekoftë!
Një prej vëllezërve thotë: I nderuar, nëse do Allahu kjo sëmundje është pastrim prej mëkateve dhe të dhashtë shëndet! Në të vërtetë ky dëshiron të vërtetohet për një fetva, të cilën ju e keni cekur lidhur me temën e të therurave të ithtarëve të librit, thotë: Na ka ardhur neve një fetva me emrin tuaj, të cilën e keni përmendur gjatë kurseve verore të diturisë se lejohet ngrënia e të të therurave edhe nëse nuk përmendet emri i Allahut në qoftë se therësi është ithtar i librit. A është kjo e vërtetë në medhhebin tuaj?


*** Jo. Mirëpo, disa njerëz kuptojnë gabimisht, për shembull nëse unë e përmend ndonjë mendim të dijetarëve, ata mendojnë se ky është mendimi im, e ajo që e kujtoj në këtë është se disa dijetarë thonë se: Atë që e konsideron ithtari i librit ushqim dhe të therur hallall është hallall, pa marrë parasysh a e ka përmendur emrin e Allahut apo jo, si dhe pa e marrë parasysh a e ka therur sipas rregullit islam apo jo. Mirëpo, ky mendim është i dobët.
Ne po themi se kur muslimani nuk e thotë bismilahin para therjes së shtazës ndalohet ngrënia e mishit të asaj shtazeje, e lëre ma jomuslimani, kjo ndalohet edhe më shumë. Po ashtu nëse muslimani e ther shtazën në kundërshtim me rregullin islam të therjes ajo shtazë ndalohet edhe pse e ka therur muslimani.


-Allahu ju shpërbleftë!
I nderuari dijetar, na porosite që të dalim nga vendet joislame, por nëse dalin muslimanët kush do të bëjë da’vet (thirrje islame) në këto vende?


*** Subhanallah, subhanallah, subhanallah (i pastër dhe i lartë është Allahu)!!! A përgjithësisht urdhërova që të dalin muslimanët nga këto vende?! Po ju pyes o njerëz? Kurrsesi, përderisa ai qëndron për thirrje në rrugën e Allahut azze ve xhel-le le të qëndrojë nëse është aktiv dhe i dobishëm.


-Një vëlla pyet: Çfarë është dispozita e lënësit të namazit përveç xhumasë?

*** Disa dijetarë nga të mëhershmit dhe të mëvonshmit mendojnë se lënia e një namazi të vetëm pa arsye derisa t’i kalojë është kafir, pra sipas këtij mendimi ky person është kafir. Ndërsa, kush mendon se ky person nuk është kafir përveç nëse e lë namazin përfundimisht, këta në këtë rast nuk mendojnë se ai është kafir. Mirëpo, mosfalja e tij përveç se në ditën e premte (xhumanë), bën që ndoshta ai person e kupton se namazi është vaxhib vetëm ditën e premte, e nëse është kështu ai është kafir për shkak të injorancës së tij për obligueshmërinë e namazit.


-A lejohet martesa e studentëve këtu me qëllim që ta shkurorëzojnë atë më vonë pas përfundimit të studimeve, për shkak të frikës nga rënia në mëkate të amoralitetit?


*** Unë mendoj se nuk lejohet. Nuk po flasim në aspektin e shikimit të argumenteve, se ndoshta argumentet që e lejojnë janë të forta, por po flas nga aspekti i edukatës dhe mirësjelljes, mendoj se nuk lejohet. Ngase, sot shumë njerëz nga vendet tona, nga Saudia dhe vendet tjera, udhëtojnë jashtë vendit gjatë ditëve të pushimit që të martohen me gra me qëllim që t’i shkurorëzojnë pas një kohe. Thuajse kanë shkuar vetëm që të kënaqen me këto femra, dhe nuk duan prej tyre përveç kënaqësisë seksuale, për këtë mendoj se kjo është e ndalur, sepse po bëhet lojë me nderin dhe avretin, dhe në të ka dëme të shumta. Njeriu kur martohet me këtë grua, i lindin fëmijë dhe ndodhin probleme, kështu që unë them për ndalimin e saj. Ndërsa, shikuar nga aspekti i dispozitës është çështje e diskutueshme, por megjithatë mendoj se është e ndaluar, ngase njeriu për çfarë qëllimi martohet? Që ajo të mbetet gruaja e tij, t’i bëhet prehje dhe të qetësohet tek ajo si dhe ajo të qetësohet tek ai, e kur e ndien në vete se do ta lëshosh pas një kohe nuk e përjeton këtë.


-Allahu ju shpërbleftë!
Një vëlla pyet në gjuhën angleze dhe thotë: I nderuar, a është ikindia namazi i mesëm? Namazi i mesëm a është sabahu apo ikindia?


*** Namazi i mesëm është ikindia, ngase Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë në luftën e Ahzabit: “Na vonuan nga namazi i mesëm, namazi i ikindisë”.
E asnjë nuk është më i dijshëm për fjalët e Allahut sesa i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pra, ikindia është namazi i mesëm.


-I nderuar, Allahu ju ndihmoftë!
Çfarë është dispozita për hyrjen e besimtarit nëpër salla të ndryshme vallëzimi dhe në kinema?


*** Kjo nuk lejohet, sepse besimtarin e ndalon besimi i tij të prezantojë në këto salla e këso lloj tubimesh dhe në kinema, dhe nuk lejohet shkuarja në to. Është obligim largimi dhe vërejtja nga këto dhe të mos mashtrohen me numrin e madh të njerëzve që shkojnë aty. Allahu azze ve xhel-le thotë: “Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë.” plotësone: “Ata do të largojnë ty nga rruga e Allahut.” (En’amë, 116)
Gjithmonë duhet të kihet parasysh e vërteta edhe nëse janë të paktë pasuesit e saj.


-Allahu ju bekoftë!
Jam i ri dhe punoj në një dyqan, ku shiten gjëra ushqimore dhe në të shiten po ashtu edhe letrat e bixhozit. Pyetja ime është: A kam mëkat për punën time në këtë vend duke e pasur parasysh se nuk kam gjetur punë tjetër dhe Allahu ju shpërbleftë?


*** Nuk të lejohet ta punosh këtë punë, përveç nëse ia kushtëzon pronarit të dyqanit në fillim të marrëveshjes se nuk do të shesësh letrat e bixhozit, e nëse ai pranon lejohet puna aty, e nëse nuk pranon, atëherë nuk lejohet që të punohet në këtë vend pune.


-Dijetar i nderuar, a është qëllimi i unitetit (bashkimit të radhëve tona) që Ehlu Suneti t’i dojë bidatxhinjtë?


*** Jo, nuk mendoj kështu, ngase dashuria e atyre që janë me të vërtetën ndaj të tjerëve është lajkatim. Mirëpo, mendoj se bidatxhinjtë obligohen që t’i nënshtrohen Sunetit në mënyrë që të jemi një popull i bashkuar, një Umet. Për këtë argumentojnë ajetet fisnike: “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (Nisaë, 59)


-Allahu ju bekoftë!
A lejohet të fillohet ramazani në dy ditë të ndryshme në të njëjtin qytet?


*** Unë mendoj se banorët e qytetit duhet të punojnë sipas udhëzimeve të qendrës islame, nëse u thotë të agjërojnë agjërojnë, e nëse u thotë të hanë-të prishin agjërimin e bëjnë atë duke u mbështetur në hadithin: “Agjërim është dita kur agjërojnë njerëzit dhe iftari-ngrënia është dita kur hanë njerëzit.”


-Allahu ju shpërbleftë dhe ju pagoftë!
I nderuar, e duam mendimin tënd në dispozitën e kokëfortësisë së babait ndaj martesës së të bijës. Në këtë rast a lejohet që vajza ta martojë veten pa prezencën e kujdestarit të saj legjitim dhe Allahu ju shpërbleftë?


*** Nuk i lejohet personit, të cilit Allahu ia ka dhënë kompetencën dhe përgjegjësinë ndaj femrës që ta ndalojë atë nga martesa me burrin që i përshtatet, i cili e ka kërkuar dhe e pëlqen atë. Keni kujdes, nëse një person i përshtatshëm dhe i mirë në fe e në moral e kërkon një femër, mirëpo i ati e pengon në pranimin e saj, ai është mëkatar dhe me këtë i hiqet kompetenca dhe përgjegjësia ndaj kësaj femreje dhe kalon tek i afërmi tjetër në radhë. E nëse nuk ka të afërm kalon tek sunduesi apo gjykatësi legjitim, të cilin rol sot e zë qendra islame, dhe e marton, ngase qendra islame është në pozitën e gjykatësit islam.


-Allahu ju pagoftë!
E dimë se femra duhet ta mbulojë fytyrën e saj, por a qëndron kjo dispozitë edhe në vendet joislame, madje edhe nëse ajo i shkakton asaj probleme e telashe të shumta?


*** Vendet islame dhe ato joislame janë të barabarta në dispozitat e Allahut azze ve xhel-le edhe nëse kjo nxitë tërheqjen e vëmendjes së njerëzve kah ajo. Ajo duhet të bëjë sabër dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut, sepse Allahu subhanehu ve teala i mbron ata që besojnë. Më kanë thënë disa njerëz se gratë e tyre dhe të tjerat kush janë me ta i mbulojnë fytyrat e tyre dhe askush nuk i pengon. Mirëpo, kjo ndoshta ndryshon prej vendi në vend, por në çdo situatë është obligim zbatimi i dispozitave të Allahut azze ve xhel-le në vendet joislame dhe në ato islame.

-E vërteta është një, dhe nuk kemi rrugë tjetër si të kthehemi dhe të veprojmë ashtu si ka mësuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem përveç se me thirrje të vërtetë dhe me atë se si vepruan zotërinjtë tanë, sahabët. Mirëpo, ka disa që na urrejnë dhe kundërshtojnë për thirrjen në rrugën e Allahut. Dëshirojmë sqarim për këtë?


*** Kjo nuk ka nevojë për sqarim. A e urren dikush dikë vetëm pse e ndjek rrugën e të të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në thirrjen për në rrugën e Allahut!?
Përgjigjja është: Jo. Apo pse e ndjek rrugën e Hulefau Rashidinëve, ai që i urren këta është sikur ai që e përmend Allahu azze ve xhel-le në fjalët e Tij: “E nuk patën pse t’i urrejnë, përveç që e besuan Allahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin.” (Buruxhë, 8)


-I nderuar, çfarë është dispozita e përdorimit të mjeteve për pastrimin e shtëpisë dhe të trupit në të cilin ka lëndë alkoolike medicinale?


*** Nëse kjo lëndë është e paktë që nuk ndikon në atë që është e përzier me të nuk ka pengesë për përdorimin e tij. E nëse është masë e madhe dhe ndikon, dijetarët, Allahu i mëshiroftë, rreth kësaj nuk janë në ujdi, disa thonë nuk lejohet përdorimi i tij, sepse është verë (alkool) e Allahu azze ve xhel-le thotë: “O ju që keni besuar! S’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)

E vërteta është se kjo lejohet, ngase alkooli është ndaluar që të mos pihet. Por, nëse shitblerja e tij ndikon në shtimin e prodhimit dhe përfitimit të të tjerëve në të, atëherë ndalohet për këtë shkak.


-Muslimanët në këto vende, e sidomos në Boston ndahen në dy grupe me rastin e Festës së Bajramit. Disa thonë se duhet t’i shikojmë vendet islame në këtë. Të tjerët thonë duhet ta përcjellim hënën në Amerikë ose t’i plotësojmë tridhejtë ditë të Ramazanit. Çfarë është dispozita në këtë?


*** Kjo çështje ka qenë e diskutueshme ne mesin e dijetarëve në të kaluarën dhe në të tashmen. Disa dijetarë të muslimanëve thonë kur vërtetohet se hëna është parë në vendet islame me këtë obligohen të gjithë muslimanët kudo në botë që të agjërojnë nëse është ramazan apo të hanë nëse është shevval. Ky është mendimi i Imam Ahmed bin Hanbel, Allahu e mëshiroftë, dhe të cilin mendim e mbajnë edhe shumë dijetarë të mëvonshëm dhe këtë e arsyetojnë se në të kaluarën nuk ka pasur mundësi kontaktimi dhe lidhjeje me vendet tjera, kështu që çdo rajon kishte dispozitën e vet rreth hënës. Por, tani mund të arrijë lajmi në të gjitha pjesët e botës në një çast me çfarë mjeti? Përgjigjuni! Po, me telefon, televizion, radio, etj. Nëse vërtetohet dhe duket shfaqja e hënës në cilindo vend islam obligohen të gjithë muslimanët të agjërojnë nëse është ramazan apo të hanë nëse është shevval.


-I nderuar, po nëse muslimanët e një qyteti apo të një shteti pajtohen për përcjelljen e hënës së një vendi, a është kjo e cila ndikon në bashkimin e muslimanëve në rajon?


*** Ky është problem tjetër. Nëse vërtetohet shfaqja e hënës në ndonjë shtet, atëherë merret mendimi i gjykatësit islam në këtë rast. Ky mendim nuk ka vërejtje, është i fortë.


-E përmendët më herët se qendra islame e ka këtë rol, pozitë?!


*** Po.

-Mirë.
Por ç’të bëhet me atë, i cili është kundër kësaj madje edhe thërret në të. Fjala vjen nëse muslimanët në një rajon prej rajoneve janë pajtuar me mendimin unik të imamëve të qendrave islame që të përcjellin shfaqjen e hënës në ndonjë vend të caktuar islam. Më pas vijnë disa vëllezër nga një vend tjetër ku veç kanë filluar më ramazan dhe e kundërshtojnë shumicën e muslimanëve këtu dhe me atë thërret se është e mirë e me vend?


*** Mendoj se sa i përket vetes së tij ai është i lirë të veprojë si të dojë dhe llogaria e tij është te Allahu azze ve xhel-le. Ndërsa, sa i përket thirrjes që t’i thërras të tjerët në kundërshtimin e njerëzve ai ka gabuar, sepse nuk dihet me kë është e vërteta?


-Një vëlla pyet: Çka janë xhinët dhe shejtanët? Çfarë është dallimi mes tyre dhe çfarë është dallimi i ndikimit të tyre?


*** Shejtanët janë nga xhinët, Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” (Kehf, 50) dhe fjala tjetër e Tij: “Përveç Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhërin e Zotit të vet.” (Kehf, 50)
Xhinët janë krijuar nga zjarri, njeriu është krijuar nga dheu, ndërsa melekët nga drita. Xhinët janë shejtanë dhe shejtanët janë xhinë, ata kanë një baba të madh, i cili e ka lutur Allahun azze ve xhel-le që t’i jap afat deri në Ditën e Gjykimit, në ditën kur do të ringjallen dhe Allahu ia ka dhënë atë mundësi. Ndërsa, goditja e tij njeriun, s’ka dyshim se ai e godet atë me të këqija në formë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Por, unë i nxis vëllezërit e mi me këtë rast në praktikimin e lutjeve fetare në mëngjes dhe në mbrëmje, ngase këto janë prej gjërave që e mbrojnë njeriun nga sherri dhe e keqja e tyre. Pasi që u larguan njerëzit nga duatë u bë e lehtë goditja dhe sëmurja e tyre nga xhinët, madje shumë. Prandaj ata duhet të mbrohen me këto lutje, e prej këtyre është leximi i Ajetul kursisë (tesbihdovës), leximi i dy ajeteve në fund të sures Bekare, leximi i ajeteve 1-3 të sures Gafir prej fillimit deri te fjala (ilejhi el-mesir), leximi i ajeteve në fund të sures Hashr duke filluar prej (Huvall-llahul-ledhi la ilahe il-la hu), leximi i kulhuvallahut, leximi i kuleudhu birabbil felek, leximi i kul eudhu birabbinas. Krahas kësaj kanë ardhur edhe shumë hadithe me lutje dhe dua.


-Allahu ju shpërbleftë!
Sigurimi shëndetësor a është haram nëse nuk mund t’i paguajmë faturat mjekësore përnjëherë?


*** Si bëhen këto punë?

-I nderuar, është një procedurë, e cila quhet sigurim shëndetësor. Firma siguruese ia paguan shpenzimet e kontrollimit dhe trajtimit mjekësor atij që sëmuret. Por, nëse nuk e ka sigurimin shëndetësor mund të mos i nënshtrohet këtij kontrollimi, po edhe nëse i nënshtrohet ndoshta paguan shuma tejet të mëdha e të futet në borxhe të shumta.


*** Sigurimi shëndetësor si bëhet?

-Si bëhet?!


*** Po, si bëhet?


-Dr.Velidi mund t’ua sqarojë këtë.

-Mënyra e këtij sigurimi është se personi paguan çdo muaj një shumë të caktuar dhe në rast të sëmurjes së tij spitali e pranon dhe e bën mbulesën e shpenzimeve. Në Amerikë është e domosdoshme që çdo njëri ta ketë sigurimin shëndetësor, sepse sikur që e dini trajtimi mjekësor është shumë i shtrenjtë dhe çdonjëri s’mund ta paguajë me më pak të holla.


*** Bëhet një pyetje: Nëse i siguruari paguan. Apo nëse kërkuesi i sigurimit paguan për firmën, për shembull çdo muaj nga pesëqind rijalë dhe gjatë tërë vitit nuk sëmuret, kush është përfitues në këtë rast dhe kush humb? Firma përfiton, ngase ka marrë mbi pesë mijë dhe nuk ka shpenzuar asgjë nga ato. Mirëpo, nëse i siguruari goditet me sëmundje të shumta dhe shuma e shpenzimeve për të e kalon shumën që ky ka paguar, kush është përfitues në këtë rast? Është personi i siguruar dhe kjo kontratë është e llojit të kumarit (mejsir), të cilin e ka ndaluar Allahu azze ve xhel-le në Kur’an dhe e krahason me verën, idhujt dhe shigjetat për fall: “O ju që keni besuar! S’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)



-I nderuar, i sëmuri nëse me të vërtetë nuk e ka këtë sigurim nuk do ta pranojë atë asnjë spital dhe nuk mund t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor e ai mund të jetë në gjendje kritike. Sipas ligjit që zbatohet këtu, ekzistojnë shumë asociacione dhe firma në të cilat duhet patjetër të sigurohet çdo nëpunës.


*** Nëse çështja është në zgjedhjen e njeriut kjo nuk lejohet. E nëse është i detyruar në këtë, le të paguajë dhe kur t’i ndodh të sëmuret ku gjithsesi duhet t’i nënshtrohet kontrollimit mjekësor le të marrë nga firma vetëm aq sa ka paguar.
A ke diçka për të thënë?


-Vallahi, çështja është se kur personi e paguan një shumë të caktuar çdo muaj, ai e merr atë po ashtu çdo muaj si shërbim për atë pagesë, sepse ekzistojnë disa kontrolle mjekësore të cilat quhen masa mbrojtëse. Shkon në vizitë mjekësore dhe i bën një kontroll, e në rast të zbulimit të sëmundjes bëhet trajtimi mjekësor adekuat. Në këtë shikohet dhe veprohet edhe me një lloj solidariteti, ku çdo anëtar i shoqërisë paguan një shumë të caktuar dhe në fund të vitit ai që ka nevojë për shërim merr sa i duhen, e nëse nuk ka nevojë ai veç e ka marrë shërbimin mjekësor për masat mbrojtëse dhe vizitat mujore apo sipas nevojës.


*** Kumari nuk lejohet në asnjë situatë, ai është më i rëndë se kamata, ngase Allahu e përmend me verën, idhujt dhe shigjetat për fall.


-Në disa kaseta islame e gjejmë të shkruar (Të drejtat e shtypit dhe të shumëzimit janë të mbrojtura). Po që se shtypet apo shumëzohet një kasetë do të përhapej dobia më shumë në mes të muslimanëve, a lejohet kjo?


*** Kjo nuk lejohet, ngase tradicionalisht atij i takon e drejta për mbrojtjen e të drejtave të tij. Çdo shkelje e këtyre të drejtave dhe shumëzimi i këtyre kasetave është sikur shitja mbi shitjen e muslimanit, dhe kjo ndikon në uljen e vlerës nëse përhapen këto kaseta në këtë mënyrë. Por, edhe shteti duhet të ndërhyjë dhe ta parallogarisë çdonjërin që thotë (Të drejtat e shtypit dhe të shumëzimit janë të mbrojtura). Nëse ai i ka mbuluar shpenzimet e veta duhet ta detyrojë atë që ta lë derën e hapur për të tjerët, ngase në këtë rast ai nuk ka më humbje me këtë, e nëse jo, atëherë i lejohet ta ruajë këtë të drejtë deri sa ta kompensojë shpenzimin.


-Allahu ju bekoftë!
T’u flasim femrave për dore a është haram apo mekruh?


*** T’u flasësh femrave të huaja për dore është haram, e jo mekruh. Kjo ka ndikim më të madh se sa shikimi, ngase lëkura e mashkullit e prek lëkurën e femrës e ndoshta ia shtrëngon edhe dorën e edhe ajo mund t’ia kap dorën e tij.
Përfundoi!

-Pyetja e fundit, i nderuar, sepse pyetësi po pret.
Esselamu alejkum i nderuar, cila është fjala e fundit e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ju lusim që të bëni dua për ne përderisa jeni në udhëtim dhe Allahu ju bekoftë!?


*** Çka?


-Cila është fjala e fundit e të Dërguarit të Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem?


*** Fjala e fundit e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sa i përket vetes së tij është fjala e tij: “All-llahumme firr-rrefikil a’la” –“O Zot, të lutem të më vendosësh në Shoqërinë e Lartë”. Aishja radijallahu anha thotë: Vazhdoi duke e përsëritur këtë derisa iu lakua dora e tij pas daljes së shpirtit të tij alejhi selam. E shoqëria e lartë janë: Pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe të mirët.


-Allahu ju pagoftë!
Vëllai kërkon që të bëni dua për ne përderisa jeni në udhëtim, Allahu ju bekoftë!


*** E Lusim Allahun t’ju ndihmojë në të mira dhe t’ju forcojë në to, t’ju bëjë nga thirrësit në të mirë dhe nga përkrahësit e të së vërtetës, sepse Ai është i fuqishëm mbi çdo gjë!


-Në fund të këtij takimi të mirë, të bekuar e të dobishëm nuk na mbetet tjetër veç se t’i falënderohemi sinqerisht Allahut azze ve xhel-le që ia mundësoi dijetarit tonë të nderuar të jetë në mesin tonë në këtë natë të mirë, dhe po ashtu e falënderojmë edhe dijetarin e nderuar që erdhi te ne të na ligjërojë dhe të na freskojë me këtë ligjërim të dobishëm dhe e lusim Allahun subhanehu ve teala që ta shërojë nga sëmundja dhe të kthehet i shëndoshë e i begatshëm për Islamin dhe muslimanët nëse do Allahu dhe bëjmë lutje duke bërë aminë:
E lusim Allahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit të Madh që të të shërojë! Aminë!
E lusim Allahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit të Madh që të të shërojë! Aminë!
O Allah, Zot i njerëzve, largoje të keqen, shëro sepse Ti je Shëruesi, nuk ka shërim përveç shërimit Tënd, shërim që nuk lë sëmundje!
O Allah, Zot i njerëzve, largoje të keqen, shëro sepse Ti je Shëruesi, nuk ka shërim përveç shërimit Tënd, shërim që nuk lë sëmundje!
Në fund të këtij takimi i përshëndesim edhe të gjithë vëllezërit që erdhën në këtë xhami për herë të parë dhe kjo është nga mirësia dhe begatia e ndejës së dijetarit tonë me ne dhe shpresojmë nga Allahu azze ve xhel-le që të jenë me ne në çdo kohë në këtë xhami, i pranojmë vëllazërisht që së bashku të ngritemi në rrugën e thirrjes për në fenë e Allahut subhanehu ve teala. Ta realizojmë atë që tha dijetari për unitetin dhe bashkimin në thirrjen e këtyre vendeve për në rrugën e drejtë, në rrugën e Allahut subhanehu ve teala. Allahu ju pagoftë për prezantimin tuaj, kalofshi mirë dhe me lehtësi, dhe shpresojmë t’ju shohim në takimet e ardhme në këtë shtëpi të Allahut subhanehu ve teala!
I Madhërishëm je Ti o Allahu im, Ty të takon falënderimi, dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje, vetëm Ty të kërkojmë falje dhe te Ti pendohemi!
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr, 1-3)
“I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i Gjithëfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë. Çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarve. Dhe falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të gjithësisë!” (Safatë, 180-182)
Allahu ju pagoftë të gjithëve vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!


*** Kam një fjalë të shkurtër me sekretarin e bordit drejtues lidhur me fjalën e tij (I panevojshëm për njoftim), kjo në mënyrë të përgjithësuar nuk është mirë, sepse (I panevojshëm për njoftim) është vetëm Allahu azze ve xhel-le, duke i parë robërit argumentet e Allahut të cilat i tregon vetë Allahu azze ve xhel-le.
Po sikur të thoshe: I panevojshëm për njoftim në mesin tuaj, ta bëje me këtë kusht nuk ka problem, apo të thoshe: Nuk ka nevojë për njoftim, sepse është i njohur tek ju, nuk ka pengesë!


-Allahu ju shpërbleftë!
Këtë e ka pasur për qëllim Dr.Velidi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://rebeli.super-forum.net
 
UNITETI I MUSLIMANËVE
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: feja islame :: Forum islamik-
Kërce tek: